
Projekti KSV/801 – “Mbështetja e Bashkimit Evropian për Rikualifikimet Profesionale dhe Profesionet në Arsimin dhe Aftësimin Profesional” (ESVET PRO) financohet në tërësi nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe zbatohet nga Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim të Bashkëpunimit – LuxDev. Projekti është hartuar duke i respektuar udhëzimet e Instrumentit për Asistencë të Para-Aderimit (IPA) II. Përveç kësaj, projekti është në përputhje me dokumentet dhe strategjitë tjera kombëtare siç janë Strategjia Kombëtare për Zhvillim e Kosovës, Agjenda e Reformës Evropiane e Kosovës dhe Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021. Fokusi primar i projektit është përmirësimi i strukturës dhe performancës së sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) dhe i ofrimit të AAP-së në Kosovë, si dhe promovimi i arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe të nxënit gjatë gjithë jetës për të gjithë, në përputhje me OZhQ4.
Projekti synon të ketë një ndikim në sektorin e AAP-së në nivel vendi, si dhe ta përmirësojë qëndrueshmërinë e përgjithshme institucionale dhe financiare të sektorit. Për deri sa zhvillimi i kapaciteteve mbetet fokusi kryesor, aktivitetet e ndryshme do ta ndihmojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në rishikimin e kornizës aktuale ligjore, strukturës qeverisëse dhe financiare të AAP-së në funksion të modernizimit të sistemit të AAP-së në nivel vendi.
Projekti e promovon zbatimin e praktikave më të mira për sa i përket zhvillimit të seteve të kualifikimeve (standardet e profesionit, kurrikulat dhe materialet mësimore), menaxhimit të shkollës, monitorimit financiar dhe buxhetimit, sigurimit të cilësisë dhe monitorimit dhe vlerësimit (M&V), shërbimeve të të nxënit gjatë gjithë jetës, këshillimit në karrierë (KK), si dhe përafrimit me tregun e punës, tashmë të miratuar nga MASHTI në institucionet e përzgjedhura të AAP-së, të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë reformën e AAP-së në nivel vendi. Në këtë drejtim, qëndrueshmëria e sektorit të AAP-së në përgjithësi dhe e institucioneve të AAP-së që mbështeten nga projekti në veçanti, do të jenë gjithmonë fokusi kryesor i Projektit.
Projekti, po ashtu, përqendrohet dhe i integron përpjekjet në disa nga komponentët më të rëndësishëm të reformës së vazhdueshme, duke ofruar mbështetje në nivelin lokal dhe në atë qendror, duke i përfshirë të gjithë akterët e sistemit të AAP-së, nga institucionet qeveritare deri tek shoqëria civile, duke përfshirë edhe sektorin privat, familjet, nxënësit dhe të rriturit.
Objektivi i përgjithshëm i Projektit është:
Të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi të arsimit dhe aftësimit që bazohet në cilësi, që është gjithëpërfshirës dhe i përgjegjshëm, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Objektivi specifik i Projektit është:
Ta përmirësojë cilësinë dhe relevancën e tregut të punës në programet e arsimit dhe aftësimit profesional për ta lehtësuar kalimin nga shkolla në punë të nxënësve të AAP-së dhe për ta nxitur punësimin e të diplomuarve nga shkollat e AAP-së.
Rezultatet e pritshme të projektit janë si më poshtë:
- • planifikimi dhe ofrimi i arsimit dhe aftësimit profesional u përgjigjet nevojave të nxënësve dhe punëdhënësve në shkollat e përzgjedhura profesionale;
- sistemi i gjurmimit të diplomuarve është instaluar në AAP-në fillestare dhe atë të vazhdueshme për të siguruar dëshmi të qëndrueshme lidhur me punësimin e të diplomuarve dhe relevancën e shkathtësive për nevojat e tregut të punës;
- aranzhimet dhe ofrimi i Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP) në nivel vendi janë instaluar dhe janë funksionale në sektorët/profesionet më të nevojshme ekonomike si një formë e nxitjes së punësimit dhe mundësive për mësim gjatë tërë jetës për të rriturit.
Korniza Strukturore e Projektit (Zinxhiri i Rezultateve)
Projekti parasheh mes tjerash:
- mbështetjen për zhvillimin e udhëzimeve administrative dhe legjislacionit sekondar me qëllim të zbatimit të shërbimeve që ndërlidhen me studimet gjurmuese (SGj) dhe njohjen e mësimit paraprak (NjMP);
- zbatimin e Kurrikulës së re Modulare të Integruar me teorinë dhe praktikën, si dhe materialet e reja mësimore të bazuara në standardet profesionale të cilat azhurnohen vazhdimisht në bashkëpunim të ngushtë me punëdhënësit dhe akterët relevantë të sektorit. Këto mund të përdoren jo vetëm në tri shkollat e AAP-së që mbështeten nga projekti, por edhe në të gjitha shkollat të cilat ofrojnë të njëjtat profile ose që janë të interesuara t’i miratojnë ato;
- rritja e kapaciteteve të përgjithshëm të mësimdhënies në shkollat e përzgjedhura të AAP-së, duke marrë parasysh mundësinë e krijimit të praktikave të krijimit të mësimit elektronik dhe vlerësimit elektronik, mjeteve dhe teknologjive të cilat mund të zgjerohen në nivel vendi;
- mbështetjen për krijimin e një bashkëpunimi më aktiv të shkollave të AAP-së me sektorin privat dhe kompanitë publike, si dhe zyrtarizimin e një marrëveshje që synon azhurnimin e qëndrueshëm të ofertës së AAP-së;
- zhvillimin e mundësive për gjenerimin e të ardhurave, forcimin e menaxhimit efikas, uljen e kostos së shkollave dhe krijimin e mundësive për punësim të qëndrueshëm të nxënësve;
- sigurimin e një liste të hollësishme të detyrave dhe përgjegjësive të punës së menaxherëve të institucioneve të AAP-së dhe promovimin e rregullave, mekanizmave dhe strukturave efikase për llogaridhënie dhe sigurimin e cilësisë;
- zhvillimin e një mjeti digjital të studimeve gjurmuese, i cili do të integrohet në sistemin kombëtar të informimit të Këshillimit në Karrierë, si dhe zhvillimin dhe zbatimin e shërbimeve për gjurmimin e nxënësve dhe të diplomuarve të integruar plotësisht në modelin kombëtar të Këshillimit në Karrierë dhe në sistemin e informimit të tregut të punës;
- zbatimin e modelit të ri të biznesit në shkollat e AAP-së, i cili ishte zhvilluar me herët me mbështetjen e projekteve KSV/015 dhe KSV/020 në kuadër të Bashkëpunimit Kosovë-Luksemburg.
Duke përfituar nga njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë zbatimit të Projektit KSV/015 dhe Projektit KSV/020, Projekti do ta promovojë shtrirjen e praktikave të mira në shkollat e AAP-së që mbështeten nga Projekti: zbatimin e ZMB-së dhe mekanizmin e ri të kostimit si dhe mjetet e monitorimit financiar.