61
Shkolla të AAP-së
6
Qendra të Kompetencës
8
Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP)

Si një vend që ka dalë nga lufta, Kosova vazhdon të përballet me një shkallë të lartë të papunësisë dhe migrimit. Për ta zbutur çështjen e papunësisë dhe migrimit, për Kosovën ka qenë me rëndësi që të fillojë me zbatimin e alternativave në arsim dhe punësim e që janë pjesë e praktikave më të mira në vende të ndryshme të Evropës dhe vendeve të tjera të zhvilluara në botë. Një nga këto alternativa ishte prioritizimi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) në politikat arsimore.
Që nga viti 2000, Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim të Bashkëpunimit ka ndihmuar në zbutjen e efekteve të krizës së zgjatur në Ballkan dhe Kosovë. Prandaj, më 23 prill 2013, Qeveria e Kosovës nënshkroi një marrëveshje dypalëshe dhe një memorandum të mirëkuptimit me Dukatën e Madhe të Luksemburgut.
Edhe para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, përmirësimi i sistemit të arsimit në Kosovë ishte një nga fushat kryesore të intervenimit. Sektori i arsimit ishte identifikuar qartë si një nga sektorët kyç për rigjallërimin e ekonomisë së republikës së re dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë.
Rreth 30 000 punë-kërkues të rinj hyjnë në tregun e punës çdo vit, por rritja aktuale ekonomike gjeneron jo më shumë se 15 000 vende të reja pune në vit. Më shumë se një e treta e të rinjve kosovarë nuk kanë punë apo ndonjë kualifikim – kategori kjo që mund të cilësohet si “brezi i humbur”.
Për këto arsye, Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim të Bashkëpunimit – LuxDev po e mbështet Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Agjencia po ndihmon në modernizimin e sistemit të arsimit formal nëpërmjet reformave në aftësimin profesional, ku LuxDev luan një rol vendimtar në mbështetjen e zbatimit të këtyre intervenimeve.
Për shkak të rëndësisë së sektorit të AAP-së për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, sistemi i AAP-së i është nënshtruar reformave kryesisht sa i përket rishikimit të kurrikulave, aftësimit të mësimdhënësve dhe bashkëpunimit me bizneset. MASHTI dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (ish-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), komunat dhe partnerët e tjerë social ofrojnë mundësi të arsimit dhe aftësimit profesional për qytetarët e Kosovës me qëllim që t’i pajisin nxënësit me kompetenca dhe shkathtësi të domosdoshme për të qenë më konkurrues në tregun e punës. Struktura dhe strategjia e AAP-së janë të përshkruara në Planin Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017-2021 (PSAK), i cili synon përmirësimin e sistemit të AAP-së nëpërmjet rritjes së relevancës së programeve shkollore me nevojat e tregut të punës, zhvillimit të kurrikulës së AAP-së në përputhje me Kornizën e Kurrikulës së Kosovës (KKK), Kornizën Kombëtare e Kualifikimeve (KKK), dhe duke ofruar përvojë të punës dhe praktikë profesionale për nxënësit e AAP-së.
Sistemi i AAP-së në Kosovë
Sistemi i AAP-së në Kosovë drejtohet nga shteti. Akteri kryesor vendor është Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e cila është e përfshirë në të gjitha funksionet e qeverisjes së AAP-së; formulimin e kornizës kombëtare të politikave, ofrimin e legjislacionit, menaxhimin e rrjeteve të ofruesve të AAP-së, mobilizimin e burimeve financiare, menaxhimin e partneriteteve publiko-private për AAP-në, vlerësimin dhe rishikimin e politikave të AAP-së, hulumtimin dhe zhvillimin (H&Zh) dhe ofrimin e të dhënave dhe statistikave.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është akteri kryesor në mobilizimin e burimeve financiare. Në nivel rajonal/lokal, komunat janë të përfshira në disa funksione të qeverisjes së AAP-së, dhe shkollat dhe organizatat aftësuese të AAP-së kryesisht veprojnë sipas udhëzimeve dhe i zbatojnë vendimet.
Sistemi arsimor në Kosovë ndahet në tri nivele të përgjithshme: arsimi i lartë, arsimi parauniversitar dhe arsimi profesional. Arsimi i lartë mbulon nivelin akademik pas përfundimit të shkollës së mesme, pra tri vite të studimeve bazike pas miratimit të sistemit të Bolonjës, studimet master dhe doktoraturë. Nga ana tjetër, niveli parauniversitar përfshin arsimin fillor, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë dhe arsimin profesional, duke përfshirë shkollat e mesme profesionale dhe qendrat e kompetencës.
Numri i përgjithshëm i shkollave publike në Kosovë është 1,094, duke përfshirë 44 institucione të nivelit parashkollor, 927 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta dhe 123 shkolla të mesme të larta. Në arsimin e mesëm të lartë, ekzistojnë 61 shkolla profesionale, gjashtë qendra të kompetencës dhe tetë Qendra të Aftësimit Profesional (QAP). Qendrat e kompetencës, që nga viti 2014, menaxhohen nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr), dhe QAP-të funksionojnë nën kompetencën e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Institucionet private ofrojnë edhe arsim profesional duke ofruar shërbime të aftësimit dhe arsimit.
Siç përshkruhet në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), ekzistojnë tetë (8) nivele të kualifikimeve: niveli 8 – doktoraturë; niveli 7 – master; niveli 6 – bachelor/universitar; niveli 5 – 2 vite të shkollimit para-universitar apo shkollat e larta profesionale; niveli 4 – Matura dhe Diploma e Përgjithshme/Diploma Profesionale nga shkollat e AAP-së; niveli 3 – Arsimi i përgjithshëm (shkolla e mesme e lartë), klasat 9-12 dhe/ose AAP ekuivalente; niveli 2 – Arsimi i përgjithshëm (shkolla e mesme e ulët), klasat 6-9 dhe/ose AAP ekuivalente; niveli 1 – Arsimi i përgjithshëm (shkolla fillore), klasat 1-5 dhe/ose AAP ekuivalente.
Sektori i AAP-së në Kosovë synon t’i pajisë nxënësit me njohuritë, aftësitë praktike, shkathtësitë dhe kompetencat që kërkohen nga profesionet specifike në tregun e punës. Sistemi i AAP-së përbëhet nga aftësimi formal dhe joformal siç parashihet me KKK. Arsimi i mesëm i lartë profesional ndahet në dy nivele. Niveli i parë përfshin klasat 10 dhe 11 që mundësojnë punësimin si punëtor gjysmë i kualifikuar, ndërsa niveli i dytë përfshin klasën 12, që mundëson punësimin si punëtor i kualifikuar në tregun e punës. Mirëpo, të diplomuarit nga shkollat profesionale mund të vazhdojnë arsimin e lartë si nxënësit e tjerë që mbarojnë shkollat e mesme të larta, siç janë gjimnazet.
Për ndryshim nga e kaluara, kur sektori i AAP-së ishte zgjedhja e dytë për nxënësit dhe prindërit e tyre, në tri vitet e fundit, shkollat e AAP-së po regjistrojnë më shumë nxënës. Sipas raporteve të fundit statistikore (2019/2020), mbi gjysma (53%) nga 74,427 nxënës që vijojnë arsimin e mesëm të lartë në Kosovë zgjedhin programet e AAP-së.
Legjislacioni i AAP-së dhe aranzhimet institucionale
Dispozitat kryesore ligjore në vijim e rregullojnë sistemin e AAP-së në Kosovë:
- Ligji Nr 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional,
- Ligji Nr. 03/L-060 për Kualifikimet Kombëtare
- Ligji Nr.04/L–032 për Arsimin Para-universitar në Republikën e Kosovës,
- Ligji Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës;
- Ligji Nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë Ligji Nr. 04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Kosovës;
- Udhëzimi Administrativ (MASHTI) Nr. 14/2014 mbi Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin për të Rriturit (AAAPARr) në Kosovë;
- Udhëzimi Administrativ (MASHTI) Nr. 28/2014 për Kriteret dhe Procedurat e Verifikimit të Standardeve të Profesionit.
Institucionet kryesore të përfshira në sektorin e AAP-së janë:
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI)
- Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;
- Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK)
- Agjencia për AAP dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr);
- Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK)
- Oda Ekonomike e Kosovës (OEK)
- Komunat
- Shkollat e AAP-së (publike dhe private);
- Qendrat e Aftësimit Profesional (publike dhe private).
Financimi i AAP-së
Burimet kryesore të financimit të AAP-së janë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (ish Ministria e Financave) dhe donatorët ndërkombëtarë. Fondet janë ndarë në nivel qendror dhe komunal për:
- Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e cila zhvillon politika dhe strategji për punë, punësim dhe aftësim.
- MASHTI, që zhvillon politika dhe kurrikula arsimore, duke përfshirë statistikat për arsimin.
- Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që zhvillon politika rinore dhe promovon arsimin informal dhe punësimin e të rinjve.
- Komunat që e menaxhojnë arsimin para-universitar me mjete nga qendra në bazë të parametrave të paraparë me dispozita ligjore.