Lajme

Digjitalizimi po e ndryshon jetën tonë të përditshme të punës dhe profesionet , dhe ky transformim digjital po shtrihet në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe botën e punës. Edhe pse këto zhvillime po krijojnë rreziqe dhe sfida të reja, ato po sjellin edhe mundësi të reja për botën e punës dhe – natyrisht – për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP).

Në kuadër të projektit ESVET PRO parashihet zhvillimi i teknologjive të reja që kanë për synim përmirësimin e planifikimit dhe zbatimit të mësimdhënies, të nxënit dhe vlerësimit të mësimdhënësve dhe nxënësve. Në këtë rast, një mjet i vlerësimit online, përkatësisht Sistemi i testimit i bazuar në cloud (CBTS) është përshtatur dhe zbatuar në të gjitha shkollat e AAP-së në nivel vendi. Ky mjet e luan një rol kyç në procesin e monitorimit të mësim-nxënies së nxënësve, në përmirësimin e programeve shkollore dhe lehtësimin e proceseve të mësimdhënies dhe të mësim-nxënies.

CBTS do ta ndihmojë stafin e shkollës në procesin e mësimdhënies si në trajnimin teorik ashtu edhe në atë praktik (të simuluar), do ta lehtësojë futjen e mësimit elektronik dhe do ta thjeshtojë procesin e vlerësimit gjatë vitit shkollor, duke promovuar efikasitetin, barazinë, dhe transparencës. Projekti tashmë ka arritur që ta përshtat CBTS-in ekzistuese sipas nevojave të sistemit të AAP-së në Kosovë dhe ka siguruar një licencë të përjetshme për përdorimin e sistemit për të gjitha shkollat publike të AAP-së në vend.  Nëpërmjet aktiviteteve që mbështeten nga Projekti janë zhvilluar Bankat e Pyetjeve së bashku me materialet e trajnimit, mësimet online dhe videot vetë-shpjeguese për mësimdhënësit dhe nxënësit, duke përfshirë jo vetëm ekspertët ndërkombëtarë dhe ata vendor, por edhe përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij intervenimi, duke i zhvilluar më tej kapacitetet e institucioneve të përfshira të AAP-së. Në këtë drejtim, 203 mësimdhënës janë përfshirë thellësisht në një trajnim të akredituar në nivel vendi dhe tashmë janë certifikuar në përdorimin e CBTS.

Duke e pasur parasysh interesimin e lartë të stafit të shkollave të AAP-së për këtë sistem, si dhe përshtypjet pozitive dhe rezultatin e këtij intervenimi, Projekti e ka organizuar një ngjarje me temën “Digjitalizimi i Sistemit të AAP-së: Roli i mjeteve digjitale në procesin e të nxënit dhe të vlerësimit”. Kjo ngjarje i kishte dy objektiva kryesore: e para ishte që ta prezantojë rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të AAP-së në Kosovë dhe rolin e shfrytëzimit të mjeteve digjitale në procesin e të nxënit dhe vlerësimit, ndërsa objektiva e dytë ishte që t’i prezantojë Bankat e Pyetjeve të cilat ishin zhvilluar nga mësimdhënësit, si dhe t’i identifikojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet akterëve të AAP-së për zhvillimin e mëtejshëm të mjeteve digjitale në sektorin e AAP-së.

Projekti ESVET PRO beson se zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësimdhënësve dhe krijimi i një oferte cilësore arsimore për nxënësit është i domosdoshëm për sistemin e AAP-së në Kosovë. Mënyra për ta arritur këtë është duke e përdorur teknologjinë për ta përmirësuar përvojën e mësimdhënies dhe mësim-nxënies.  Dhe kjo është me rëndësi thelbësore për ta ndryshuar perceptimin e shoqërisë ndaj sistemit të AAP-së dhe për ta bërë AAP-në zgjedhje parësore për të rinjtë e Kosovës.